Sytë e Beratit – shenjtori i tretë

 

SYTË E BERATIT – SHENJTORI I TRETË

Ç’e do Elbasanin goce, tue pasë Beratin!… Eh! Atëherë kur këndohej ky varg askush nuk mendonte se lidhja mes qyteteve nuk ishte thjesht krushqia dhe njohja, por ato do t’i zbukuronte mjaft edhe interesi, i cili i ngjan në një farë mënyre rrathëve koncentrikë, ose më saktë rrathëve të jetës që tek trungu i pemës gjejnë një shprehje të krahasueshme. Diku janë më të ngushta, më afër njëra-tjetrës, do të thotë se andej është veriu, erërat e tij dhe për pasojë rreziku ka qenë dhe është më i madh për bimën, po edhe për njeriun. Mirëpo interesi i njerëzve, pra interesi publik dhe jo publiko-privat, ka për pjesë edhe nuhatjen, po qe se e sheh se rrathët janë të ngushtë dhe frika e fsheh atë që duhet. Dhe Berati, që gjithë jetën e tij ka parë nga deti (Vlora dhe Durrësi, në këndin e vështrimit të syrit!) është shfaqur tani fort edhe drejt Elbasanit. Se dihet që «afër detit, afër mbretit», po e kundërta vlen? Për të kapitalizuar gjuhën po, sigurisht që vlen. E ç’interesa paska Berati që po i mban sytë nga Elbasani? Pa fund. Në çdo pikë që do qëndrojmë në të fshehtat e mrekullueshme të tyre, aq gjëra të përbashkëta do gjejmë. E me që sheh Berati nga Elbasani ne do ndjekim sytë e tij. Kështu bashkë me një gazetar të njohur udhëtova nga Berati drejt Kuçovës, pjesë e të njëjtës prefekturë, rrugë që detyrimisht të çon drejt Urës Vajgurore, aty ku ndahet rruga drejt detit dhe rruga drejt «mbretit» ku dje ngeceshim në qytetin e naftës, ndërsa sot kemi të paktën tri dalje, dy drejt veriut (Elbasanit) dhe një drejt perëndimit, Lushnjës, duke kaluar nën liqenit të Thanës (Murrizit) drejt Fier-Sheganit. Ah, tha shoku im, ja ku qenkej e fshehta, do të merremi me rrugët! Po, mik i dashur, se pa rrugët s’kemi ku mbytemi, apo jo? Dhe, meqë dy rrugë na çojnë drejt Elbasanit, mesit real të Shqipërisë, po edhe të trojeve shqiptare, po qe se gjatësia zhytet gjer në Artë, dhe s’ka asnjë arsye të mos i pëlqejë kjo trashëgimi e injektuar në gjak. Nuk ia përtojmë dhe nisemi. Kuptohet që «armët» për filmime i ka edhe fëmija në djep, ndaj nuk ia përtuam. Se turistët, thembra e Akilit për ta, që detyrimisht do vijnë në Berat, duan rrugë të reja, rrugë natyrisht të mira, të bukura, pika ku mund të qëndrojnë, të njohin nga afër natyrën: malin dhe lumin, fushën dhe të fshehtat e padukshme të fytyrave njerëzore. Tek e fundit një dokumentar nuk do të qe keq. S’guxonte asnjëri prej nesh të kërkonte më shumë. Nga ana tjetër e shuanim kureshtjen pse Berati i mban sytë nga Elbasani!

Shoku im pa hartën topografike si tregues dhe u kujtua për ta shënuar rrugën e re, a për të «lyer buzët» nga Kuçova drejt Elbasanit. Rruga e fushës së Sulovës, ose e Devollit të poshtëm, gjithë jetën ka qenë e fshehur nga sytë e botës, për shkak të një rruge të thjeshtë. Të paktën, duke e shënuar në hartë do të kishim mundësi ta tundnim para syve të njerëzve…

Ta shihnit fushën! Gjithkush mund të thoshte se si qe katranosur! Jo, ajo, ndoshta edhe nga rruga e re, ishte zbukuruar dhe banorët e Selitës, Linasit, Mollasit dhe katundeve të të tjerë i drejtoheshin Urës për në Gostimë, atje ku mblidhen miqtë (gosti nga sllavishtja) nga hidrocentrali dhe liqeni i Banjës që filloi të çajë grykat drejt Korçës, nga jugu (andej nga vijmë ne) nga veriu (Cërriku dhe Elbasani) për të shkuar drejt Tiranës dhe nga perëndimi – prej liqeneve të mrekullueshëm të Dumresë. Mirëpo e papritura e pakëndshme kishte ndodhur: nga Mollasi drejt Urës dhe Cërrikut rruga ka humbur mes shkatërrimit dhe gropave si të ishte një Kandahar. Magjia u prish. Pas nesh derisa ishte rruga e re që lidh dy mundësi tregu dhe hedh poshtë mijëra paragjykime dhe poshtërsi të vjetra e të reja, vinte edhe një makinë me një çift që, ashtu si ne, rrinin, qeshnin, i gëzoheshin për qejf të tyre natyrës dhe bënin foto e filmonin njëri-tjetrin: ai filmonte kofshët e gjata, trupin e hajthëm, bythët e saj të kërcyera, duke pozuar kërcënueshëm sa që mund ta linte shakull edhe shoferin e Tojotës sonë të patrembur. E shihja që i mbante sytë prapa ose në pasqyrë. Ndoshta mendonte më të bukurën edhe për vete. Dhe armët e tij ranë zhurmshëm përtokë sapo mbaroi edhe rruga e mirë… Po ashtu edhe ne u kthyem pas. Na mbetej të provonim edhe rrugën e dytë…

Doja të isha edhe njëherë në zyrën e gjatë të Becit, drejtorit të Fondit të Zhvillimit dhe të shihja aty mijëra punët e vogla që kishte bërë, copa-copa dhe të hedhura sa andej-këtej. Të gjitha janë të lavdëruara por asnjëra nuk merr vlerën e vërtetë. Unë s’mund të marr të gjitha punët që ka bërë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, por e di që me një fjali të vetme mund të thuhet se Shqipërinë e vërtetë, atë që endet mes fshatrave dhe mrekullive të natyrës, e ka bërë ky Fond. Ndërkaq do t’u lutesha, para kërkesave pa fund që vijnë e përplasen nga çdo cep, që ta mbyllë këtë rrugë, nga Mollasi deri në Cërrik. Por edhe diçka tjetër edhe më tronditëse: rrugën nga Havaleasi (Kozare) aq pranë Kuçovës dhe midis puseve të naftës që e lidh me Vlashukun dhe Grekanin ose Dëshiranin. Dhe ja që këtej ne me Tojotën tonë mund të vijonim rrugën drejt Elbasanit pa u trembur, madje mund të qëndronim edhe në Belsh pranë liqenit të mahitur me një bukuri trallisëse. Ju mund të rrini aty dhe t’i përvisheni punëve pa fund: të gjeni një librari plot me fletore e lapsa(!), një ekspozitë bujqësore, ca lisa të mbetur diku fshehur nga syri i druprerësve të tmerrshëm, pallateve të ngritura lart për të rrokur qiejt, ndërsa mua më vinte në kujtesë viti i largët 1966, kur i ndodhur në ballkonin e Dumresë, në Luzaj (Mëhovë), shihja vitin e dhjetë të punës së traktoristëve me emrin e vetëm «Ibrahim» që shkulnin pa mëshirë lisat e pafundmë të Dumresë, që për ironi duheshin zhdukur për të nxjerrë në shesh sytë e kaltër të saj, liqenet e shumtë karstikë, të cilët donte t’i kthente në sheshet e jashtëzakonshme për pushim në kryeqytetin e Shqipërisë, Sami Frashëri. Nën firmën e kujt bëheshin ato marrëzi? Po marrëzitë kur Dumreja mbeti «lakuriq në mes të ujqërve» dhe u end me sy mbyllur mes shkretëtirës për të ecur kuturu dhe liqenet t’i kthente në rezervate uji për t’i tharë sa më shpejt dhe doemos. Eh! Lisat duan vite e vite që të ribëhen siç kanë qenë. Edhe liqenet, pastaj, të marrin fuqinë e një bukurie të patregueshme, mbushur me plot të fshehta. Par magjia e rrugës është e jashtëzakonshme. I ka kthyer banorët te tokat e tyre, te puna, pasi rruga e ka sjellë tregun te dera e shtëpisë. U ngritëm nga Belshi drejt Cërrikut. Pastaj rruga më e mirë për në Elbasan nuk kalon nga Llixhat, por nga Papri! Shiko ç’bëhet? Marifete janë edhe këto. Me emrin e Becit lidhen edhe këto, si të gjitha vogëlimat e tjera që janë përplasur në derë të tij.

Unë vij për një kumt, në Elbasan. Vij për të sjellë sytë e hapur tej mase të Beratit, që t’i gjallërohet jeta dhe t’i bëhet më e bukur. Të pakën lidhe, Bec, Havaleasin, Vlashukun dhe rrugën e re të Dumresë me Beratin magjik. Kështu fitojnë të gjithë: merr jetë tjetër Dumreja dhe tjetra, fusha e Sulovës. Se të gjitha rrugët të çojnë drejt … Beratit! Apo jo? Aty ftojmë këdo që kërkon emrin, identitetin. Ne, të paktën, nuk e kemi pasur gjithë qël­limin si të bëjmë të mundura për vete rrugët e shkurtra dhe të majme për Beratin nën firmën e qeverisë dhe dëshirën e paskrupullt të njerëzve! Ç’qenka kjo dëshirë e malultë! Për zhvillim? Për të gjetur më të shkurtrën, më të kukurën. Aha! Prandaj Berati i mban sytë nga Elbasani! Ja, e zbuluam të vërtetën! E kuptoni? Sikur ky zhvillim ka hyrë që tani në xhepin e të gjithëve. Për të vënë duart në kokë, them. Më paskan shfrytëzuar fjalët, domethënë…

Sa kthehem në Berat e gjeta duke parë nga jugu. Doja ta pyesja, patjetër. M’u duk se shihte Shpiragun. Rruga për atje, sa për të parë Ballshin nga Qafa e Sinjës, ishte bërë prej kohësh, po nga Beci, dhe së andejmi mund të shihja gjithë bregdetin, po edhe rrugët e reja që shkojnë drejt Tomorit dhe në kodrat rreth e qark qytetit të mahnitshëm. Megjithatë e vërteta e vështrimit të tij nga jugu kishte të bënte me «sytë nga Tepelena»! E pse nga Tepelena? Po. E thjeshtë. Se andej është rruga që të çon në jug, drejt një deti tjetër, drejt një turizmi elitar. Më vjen, ndërkohë, në mendje takimi më 1992 me të parin italian të fuqishëm ekonomikisht që njihja, Ettore Setten, bashkë me kryetarin e bashkisë së Tarvizios, Vito Anselmi, që më shoqëroi në kujtesë Vito Juvarën e filmave italianë. Me ta ndoqëm rrugën nga pritja në Sarandë, dreka në Butrint, kënaqësia e paparë në Syrin e Kaltër (që u turbullua ndoshta enkas në kohën e fundit të Fatos Nanos dhe, u përmbytën nga egoizmi dhe lakmia në Gjirokastër, për t’u gjetur në një rrugë (mendo, atë kohë!) të allasojtë e të pafundme që të çonte në Berat! Po, se ata për Beratin kishin ardhur. Edhe përmes lodhjes së përbindshme. Se edhe udhëtimi me makinë, papritur e pa kujtuar, të lodh, të këput, të bën që të mos ngrihesh në këmbë!

Në Berat befas u gjallëruan, mbetën pa frymë. «Ia vlen!» thanë. Dhe kjo e vërtetë i detyroi, teksa gjenim kënaqësinë e rrallë të eksplorimit të Kalasë për t’i hedhur sytë nga jugu. Dhe si udhëtarë të thekur u orientuan shpejt. Po, andej erdhëm! Ka rrugë alternative që del shpejtë? Ka rrugë nafte ose qymyri? Kjo dhe ishte vërtet kulmi! Nafta zgjatej drejt luginës së Velabishtit dhe Molishtit për të arritur në Plashnik, në pikën ku takoheshin edhe burimet e Luftinjës, në anën tjetër, ku fillonte edhe lugina me të njëjtin emër, e njohur si lugina e qymyrgurit, ose thjesht si një nga luginat tmerrësisht të varfra të Shqipërisë, me prona të lëna djerrë dhe që presin dorën e Zotit, domethënë, ndoshta dorën e Becit, të Fondit të zhvillimit!  Midis tyre shtyhej dhe ai, dhëmbëthyeri, Fati ynë! Cili makut i parasë do ta ketë fatin tjetër ta bëjë këtë rrugë, me koncesion, që të vjelë gjithë jugun dhe aq më tepër ta kthejë Beratin në një qendër të madhe, të vërtetë, shpëtimtare dhe të mrekullueshme. Do s’do, do udhëtosh nga Berati. Se të gjitha rrugët të çojnë në … Berat! Ndaj dhe miqtë e mi Ettore Setten dhe Vito Anselmi, tashmë më të moshuar se ç’i lejon koha, të thoshin se vetëm rruga që del nga ura e Memaliajt dhe ndjek dy luginat (Luftinjë e Velabisht!) vjen befas në Berat! Një mrekulli tjetër, e bukur dhe me mundësi të fuqishme ekonomike! Mund të jesh brenda një ore nga Tirana me rrugën e Elbasanit dhe po ashtu brenda orës drejt Gjorokastrës. Dhe mua më vjen ndërmend rruga e vjetër e Terpanit, që të çonte në Këlcyrë, rrugë që e sillte domosdo në Berat gjithë jugun tonë. Pastaj me siguri je në bregdet! Në bregdetin e Jonit! Në Hadrianopol, në Gjirokastër, në Foinike, në Butrint, në Sarandë e në Korkyrë! Të 2 milionë turistët e Korkyrës do t’i drejtonin sytë nga alternativat e mrekullisë shqiptare, në drejtimin Gjirokastër-Berat! Palé pastaj sikur të kujtohej dikush për të bërë pelegrinazh në Gllavë, për ato tri netët që kaloi aty Benito Musolini gjatë luftës itali-greke… Magjia e pakursyer dhe e panjohur shqiptare… Ende e panjohur, megjithëse në fillim të shekullit XXI. Është gjendje e paskrupullt. Prandaj dhe Berati i mban sytë andej.

I kërkuam Xhevahir Ngjeqarit një intervistë, po ai s’pranoi. Na tha se ia kishte dhënë përgjigjen asaj interviste, përmes botimeve të shumta për rrugët e Shqipërisë. Na tha se edhe ishte braktisur nga gazetari i madh Arian Çani sepse vetëm nëpërmjet tij mund ta fitoje Beratin dhe stimën e tij turistike, mund ta bëje një qendër që ta tregoje me gisht. Pastaj mund të shtoje aty gjithë ç’janë thënë e ç’thuhen ende për klasën politike sigurisht të korruptuar gjer në skaj të durimit dhe na fut me sindromën e rrugëve, në një gjendje të llahtarshme, ndonëse e përmirësuar po kurrë e përfunduar. Si copëzat e diellit në politikën shqiptare, ku dikush ka për të mbetur si emër e si famë vetëm prej rrugëve, e fshehta e vërtetë e zhvillimit të njerëzimit!

Sot, në Evropë dhe në Amerikë mund të udhëtosh pa fund dhe ndihesh i mrekulluar. Por në vende të vogla si Shqipëria kjo merr një vlerë në kufijtë e ndershmërisë! Mbetet gjithnjë radha e tij, por nëpërmjet vetëmohimit, intelektit, që mund të shiko­het me zili prej nesh, pse jo! Një kushdo tjetër diletant, që natyrshëm mund të përdorte marifete të ëndërruara dosido, për të siguruar edhe njëherë të vetme në intervista ekskluzive, vetëm me Arian Çanin, ose me sivëllain e tij nga çfarëdo vrime televizive të dilte!…

Shiko, more vëlla, këlthet Xhevahir Ngjeqari, edhe studiot e fuqishme nuk bashkëpunojnë me mua, se edhe të pajisur me mjete moderne, studiot e tyre punojnë me copa dhe puna me copë të kthen në feudalizëm! Ne do të kemi fatin t’i drejtohemi sërish inxhinierit të njohur të rrugëve, që duket se ia ka gjetur çelësin të vërtetës. Ishte këmbëngulja e tij (ndonëse me projekt tjetër dhe më të përshtatshëm se ai që fitoi!), që e detyroi qeverinë të hidhte në letër projektin e rrugës me tunelin drejt kthimit në realitet. Tani ka më shumë mundësi udhëtimi me makinë drejt Beratit, jo thjesht për të arritur fjetjen në hotelet dhe shtëpitë hotele të Mangalemit të magjishëm, për të harxhuar ca paret e xhepit, kusuret e një honorari, për të gjetur gënjeshtrat e vërteta, se me to na japin vetëm dritën që mund ta fitojmë me panelet e panumërta diellore që mund të mbajë Mangalemi, Atiku dhe Kalaja në Beratin tjetër, energjinë eolike në fushën që fryn e shfryn të gjitha erërat, po edhe me centralet hidrike në Osum, që një ditë ëndrra të kthehet në dritë. Dhe Berati bëhet «bio» në të gjitha hyrje-daljet e tij mahnitëse. Sa shuma mund të hidhen për to?… Sa koncesione? O Zot! Njëlloj, duket se ka për të gjithë! Pranoni, zotëri?

Unë nuk e fsheh, Berati im sheh sa nga jugu edhe nga veriu, pavarësisht rrathëve të jetës që ngushtohen aty ku nuk është e mundur të jenë të tillë, ashtu edhe të gjendemi para vështirësive të panumërta aty ku duhet se rrathët janë të gjerë. E para është e papritura e munguar e dëshirës. Ngjan që këtë rrugë të dalin papritur në skenë. Por vetëm nëse del nga qarkullimi i shpifur i idesë së tmerrshme të partneritetit publiko-privat. Kurse rrugën duhet ta ketë ai që e zotëron dhe e ka në dorë vetëm kush investon për të. Kështu ndihesh i respektuar, sigurisht dhe protektorët bëhen tema e gjetur e ditës, vijnë drejt nesh dhe gjejnë doemos sytë e Beratit, edhe prej emigrimit, sigurisht për të sjellë një shenjë solidariteti. A jemi larg edhe po të kthehemi pas? A të shkon mendja tek ndonjë mashtrim? Sepse mashtrimi ta bën të zezën të bardhë, merr vesh, dhe jo të kundërtën. Berati im trembet pak dhe nuk bëzan, rri suqut, si i gënjyer prej nostalgjisë. Ëndërr? Ndoshta vjen një kumt tjetër, sigurisht jo për të rënë pre e maskarenjve. Dhe ata i duhen Beratit, që do ta detyrojnë t’i kërkojë me qiri edhe mashtruesit!…

Ç’thua?

Sytë e Beratit, u gjetën hapur te shtëpia e Haxhistasës në Kala, që vështrojnë Tomorin. Ja, këtë s’e dija. Që këtej e sollën rrugën e magjishme qytetit të tyre të madh të gjithë shkrimtarët e vjetër dhe të rinj. Por ideja të ngrohet kur e sheh Tomorin prej kësaj shtëpie të paparë! Kush kalon para saj mrekullohet sikur jeton një botë tjetër dhe e mban frymën në Tabie. Pastaj ngjitet në Akropol, jo për t’u futur në labirintet e tij të bryllëta, po për t’u shendur në Sheshin e Tregut, aty ku sheh gjithçka nga Veriu e nga Jugu, si në pëllëmbë të dorës, ku dhe ngujohen sërish sytë e kaltër (ngjyrë e dritareve të shumta!) të Beratit. Për të gjetur rrugët e humbura në shkretëtirën e imagjinatës. Dhe me shumë interes. Për të gjithë. Të bëjnë ç’të duan me to? Jo, kurrsesi! Zoti na ruajtë! Ia kemi falur këtij qyteti të gjitha imagjinatat. Po sytë, e fshehta magjike e zhvillimit të tij, ku mund të jenë tani? Ah, po në Katedralen e Onufrit! Sigurisht… Atë dua edhe unë, aty le të mbeten përjetë të ngujuar sytë e tij të shumtë dhe aq të mëdhenj, të pakrahasueshëm…

Nuk vonoi dhe ne, unë dhe shoku im gazetar, u vumë sërish në rrugë drejt veriut dhe jugut, pasi u kthyem prapë në të dy pengesat e trishtueshme dhe kështu nuk mbërritëm dot as në Elbasan e as në Tepelenë. Pa u menduar gjatë ne mund të arrinim andej nga u nisëm edhe me rrugët e gjata, në të parën drejt Elbasanit, nëpërmjet Lushnjës dhe Rrogozhinës dhe në të dytën, drejt Tepelenës, me anë të Fierit, Levanit, Vjosës, duke u rrotulluar nëpër Mallakastër për shkak të një hidrocentrali që kishte ngritur sfratin përmes mashtrimit dhe maskarallëkut! Kur të ktheheshim sërish në Berat do të shihnim ylberin e dyfishtë me një këmbë në Tomor e tjetra në Shpirag, si në kohët e luftërave titanike midis tyre. Një pamje vërtet magjepsëse, ndoshta sepse në atë hapësirë, duke parë poshtë nën këmbët tona nga liqeni i mundshëm (dhe jo nga ishulli i Piratëve!), gjysmën në shi e gjysmën në diell. Ne xhirojmë me sytë e mendjes. Me sytë e Beratit që mbetën hapur gjithë jetën!… Shoku im gazetar dhe kokëkrisur mundi të gjente edhe njëherë një grua të bukur, dashnore të thekur, sepse ishte mësuar me një jetë pa halle. Me sytë e saj mund të gjente sytë e këtij qyteti të pakrahasueshëm. Mbetem në pritje që të ndryshojë mendje, sepse jam tërësisht i kredhur në madhështinë e tij. Zoti më dhëntë fuqi. Sepse kësisoj do t’i zbuloj mrekullitë e tij, duke ngritur një shenjt tjetërlloj, ndryshe nga gjithçka në botë…

 

Tiranë, më 1 maj 2016

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *