Sonetet shopeniane të Xhevair Lleshit

Sonetet shopeniane të Xhevair Lleshit

«…më tundon instinkti që të zgjas dorën dhe t’i këput si trëndafilë.»

Roland Gjoza, poet, shkrimtar, New York

I dashur mik, ti të lë pa frymë me dashamirësinë tënde aq prekëse. Me atë zërin tënd pak të sertë, si për të mbuluar një ndjenjë dobësie prej dashurisë. Ti i do njerëzit, dhe duke dashur njeriun, ti do krijesën e tij, në këtë rast, fjalën. Faleminderit shumë, Xhevair i ditur, Xhevair sqimatar i fjalës së zgjedhur që bëhet e tillë prej një mundimi spartan. Jo, s’të përgjigjem dot në ndjenjën që më shfaq, sepse madhësinë e mikut tek ty s’ka portë që e nxë.

Kthehemi tek esetë e tua; vërtet ti aty ke derdhur një pjesë të çmuar të shpirtit, atë pjesë që e ka zënë vesa. Kanë kaq shumë dashuri farfuritëse ato ese, për njerëzit e tu të dashur, sa të tundon instinkti që të zgjasësh dorën dhe t’i këputje si trëndafilë. I ke të bukura, mik, tani mendo për librin e ardhshëm me ese, për librin tënd më intim, ndoshta. Këtu telat e shpirtit tënd, janë prekur prej një dore hyjnore. Sepse në to ndjehen tinguj. Fjala është e zgjedhur, fraza ka muzikalitet, ndjenja buis vetiu si në pranverë lulet. E shoh se je nën efektin e yllit Venus, përgjoj dhe ndonjë thagmë dashurie lirike, që domosdo do të nxjerrë krye dikur. Pse jo, pak dashuruam? Ose pak dashuruan ata, personazhet e tu? Ca e pësuan, ca te tjerë e ndërprenë, ndonjë i lumtur e shijoi në pleqëri, teksa i kishte humbur ndërkaq të gjithë ato instrumente që formojnë një orkestër. Me ka munduar me kohë Lasgush Poradeci dhe ajo Ana e tij, vajzukja që i shkonte fshehtas dhe ai e vizatonte nudo, pa mundur t’i bëjë gjë. Ajo, e veçoi për vete, e mbajti të izoluar, desh më rrëzoi nga shkallët kur doja të hyja në dhomën e Lasgushit; bishë dhe femër me të gjitha hiret, të cilat i shenjtëroi në hirin lasgushian, po që s’provoi dot shtratin me të… Ajo di të shkruajë, ka mbajtur ditar, po e ka vetëm për një lexues, vetveten. I është betuar që të jetë e tij dhe ai vetëm i saj. Gjer në varr. Diferenca në moshë: ai 82, ajo 28. Dhe ç’kanë bërë, s’kanë lënë gur pa lëvizur… Di dhe diçka tjetër, krejt të veçantë që e pashë me sytë e mi… një ditë para se Lasgushi të vdiste. Po histori më vete. Ja, këto hollësi edhe ty ta ndezin shpirtin, mik, e di që ke shumë nga këto sonata shopeniane, e di. Pres ndonjë thagme të tillë të përngjashme prej teje.

Të kam ndjekur mik dhe të ndjek, më ke pas si një lexues që mahnitet dyfish prej artit tënd dhe prej zemrës sate që di t’ia falësh mikut. E ndjej që je nën efektet qiellore të artit, drita e tij e mistershme ka rënë mbi ty, vazhdo siç e ke nisur, shfrytëzoje këtë dhuratë perëndie, mos e lërë pa mbarsur mirë.

Po të vij atje, e bëftë këtë mrekulli Zoti i madh, do ta mbaj frymën tek ajo shtëpia botuese aq interesante, me dizajn magjepsës, lus shpirtrat e shkrimtarëve që na mësuan, të të gjej mirë, në çdo pikëpamje dhe ta pimë atë kafe të uruar. Gjer atëherë bëfsh bam me ndonjë libër të bukur, poezi a prozë, psikologji, filozofi, a histori, që të ma dhurosh me autograf.

Të përshëndes për esetë. I papërmbajtshëm si ujërat pranverore. Je në qiellin e frymëzimit dhe zoti të ndih. Në stinën tënde. T’i lexoj me kënaqësi duke të admiruar ndjenjën, emocionin që përcjell, detajet aq njerëzore, gdhendjen mjeshtërore të portretit. Je portretist i shkëlqyer. Ka melodi në ato ese. Në gjërat  e mira ka melodi. I je kthyer kujtimeve, i ke lënë kohë vetes, se koha s’është vetëm për të tjerët, për statistikat dhe kjo ndodh sepse ti së pari je krijues genuin, miku im, kryengritës, fitues i kohës sate. Vazhdo mik, shfrytëzoje këtë hapësirë prej boje shkrimi, mbushe me fjalën e dëlirë të shpirtit qiellin e letrës. Të fundit lexova esenë për mikun tim, Faslli Haliti, poet kalibri, me vargun e tij të papërsëritshëm, e përpiva këtë ese se ju dua të dyve. Kishte shumë dashuri dhe aty ku bën këmbë dashuria në botë ka vetëm festa. Ia kishe arritur mrekullisht. Ç’emocion buronte… unë vetë e ndjeva dridhjen prej ndjenjës aq të sinqertë… Këtë kuptova nga esetë e tua: ti e do njeriun, e do aq pafajësisht sa edhe cenin ia shikon si virtyt, veti e njerëzve me shenjë. Vazhdo, miku im, me esetë e tua, që me sa shoh, s’do të kenë fund, sepse ti duhet të kesh qenë dhe je (përvoja ime) mik i mirë.

Më ke prekur, sinqerisht kam mbetur i prekur prej letrave të djalit. Sa emocion, vërtetësi, thjeshtësi. Bëre mirë që i rifute, ja, unë s’dija gjë për to. Një shpirt i madh, aq i dhembshur, që s’di në ç’botë grykë ujku ka hyrë. I bëjnë përshtypje pasqyrlinat, sepse është ende i njomë, ende i pamësuar me reklamën marramendëse. Po sa dashuri që ka. Dashuri që do ta kishte shkrirë akullin e Perëndimit.

Dhe vemi sërish tek esetë e tua, të shkruara me aq shume shpirt, më kanë bërë përshtypje të madhe. Ti ke atë, i dashur mik, atë që po humb, ndjenjën. Ndjenjën e vërtetë të dashurisë për njeriun. Ç’të ka bërë përshtypje, e ruan të freskët, s’të është vyshkur, siç ndodh rëndom me shpirtrat egoistë e arrivistë. Gjej tharm aty, filiza tregimesh e romanesh në ato karaktere të paharruar. Ato që ke kapur ti janë thelb, prandaj krijojnë emocion, thënë thjeshte, pa sforcim, me një gjuhë të rrjedhshme, me kolorit dhe krahinor, me një mesazh që rëndon si një gur filozofik. Sepse në çdo ese ka një dozë filozofie për njeriun, jetën, bëmat.

Nuk mund të rrija pa të shkruar, sepse të kam mik, s’jam thjesht një lexues qe përzgjedh po, së pari një lexues që ta di vlerën. Po në këto ese, veç prozës tënde të gjatë, duke u marrë me një portret, vjen më i kollajshëm, më i drejtpërdrejt, si me jetësor.

E ndjej që je në ditë të mira, të ka mbërthyer emocioni, shkruaj mik, i ke të bukura!

 

Xhevair, mik, po me gezon perdite e me shume me shkrimet e tua. 31 shenjtore. C’gjetje brilante, gjithe ai Berat me tipa nga me te paharruarit dhene nga nje pene qe ngjyhet ne zemer. Shume emocion, mik! I lexoj me kenaqesi esete e tua. Ka shume jete ne to, shume dashuri per njeriun, per fjalen shqipe qe te del e paster e ngjyreshme, plot mendim, pa sforcim, po ashtu lirshem si vala qe vjen ne breg. Te pershendes, miku im i pacmuar, per keto thesare qe po na zbulon. Nuk mund te rrija pa te shkruar. S’ishte ne doren time. E ke vene re kur te detyron vete shkrimi te shkruash, te shprehesh entuziasem, sic po ndodh me mua, se ndryshe, s’mundesh. Dhe c’fshihet ne kete gjendje? Frymezimi yt, po s’eshte vetem yti, po fati qe je nga Berati.

C’gjej te re ne keto shkrime; te harruarit qe dalin nga erresira ne drite. Nje qiri qe ndizet per ta! Kujtimi. Virtyt ky! Te kujtosh ata qe s’permenden me, po mbeten ne kujtese pa e ditur as ata vete kete fakt te magjijuar. Ke qene djale i mire, i mbare, kjo ben maje, nuk i hyre luftes per ekzistence qe te fitosh pasuri me cdo mjet, po zgjodhe paqen qe te fitosh shpirtin. Dhe ja, duket mirefilli. Zgjodhe udhen e profetit ne shkretetire, librin. Me vuajtje, domosdo, me sakrifica, po me sa gezim, gje qe duket te esete e tua.

Me behet qejfi, mik, natyrisht me behet qejfi, se ti po e ben per mrekulli kete sfide ne letrat shqipe. Sot s’ka pohim, po mohim, se clirohet shume energji negative, sot ka shume harrese, se arti eshte mberthyer nga mediokrit, sot ka shume shtirje dhe hipokrizi, se artit nde vend tone i ka humbur balanca, shkon me kot andej kendej dhe egjri perziehet me grure. Po s’ka gje, ka qe shohin e degjojne, qe lexojne e kuptojne dhe te shtrengojne doren. Suksese, mik!

 

Përqafime

Rolandi

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *