Me sa duket jam fryt i një elegjie, Fenix 2013

paris21

Paris, Nentor 2015. Me shkrimtarin dhe psikoanalistin Jean – Luc Tourenne

Shkrimtari flet për muzat e poezisë në Beratin e bekuar, librin e parë të pabotuar me poezi, mungesat në letërsinë për fëmijë, për librat seriozë dhe profesionalë psikologjikë, mbi çështje të historisë, mitet dhe dëshirën për t’u madhështuar, për panairet e librit të kthyera në pazare, në të cilën ndonjëherë nuk ka as një ngastër për Shqipërinë
Xhevair Lleshi: Nuk gjen dot një copë Shqipëri
Jorida Pasku
Me sa duket jam fryt i një elegjie, të cilën e këndonte kohë e pa kohë ime më”, shpjegon mënyrën sesi e sheh botën, Xhevair Lleshi, poet, studiues, shkrimtar, botues. Aty gjen “dhembjen, lirikën, jetën që herë duket si një fije peri që mund të këputet ku të dojë, por herë të tjera ngjet me një kavo çeliku që nuk mund të këputet kurrë”. Kaq e çlirët, e frymëzuar është e gjithë intervista për “Fenix”.
Z. Lleshi çfarë i ofronte Berati i dikurshëm të riut të frymëzuar?
Duket sikur Berati është i thjeshtë, i qetë, i kapshëm. Është një ëndërr e paparashikueshme për gjithkënd. Është e pamundur të arrihet dhe të kuptohet. Si çdo qytet edhe ai ka magjinë e tij. Që ta kuptosh magjinë, nuk nevojitet të jesh magjistar, por të jesh pjesë e lojës së magjisë. Që ta përfytyrosh veten pjesë të saj, do duhet më së pari të jesh magjistar. Mirëpo harron që jeta është aq e magjishme, sa të vërtit në majë të gishtave si të ketë qejf. Kështu që kështu i vërtit njerëzit edhe Berati. Është i hollë shumë, është fin. Po t’i dalësh nga buza e lumit dhe të shikosh lagjen “Mangalem”, ajo duket se të shikon në sy, po ta shohësh nga ish-Turizmi dhe t’i afrohesh, duket si një vajzë e bukur që i ul sytë dhe ti nuk ia sheh më. Ja kjo është magjia. Të ka magjepsur dhe nuk të rrëfehet, nuk të jepet.
Fillimet e krijimeve tuaja nuk ishin aq të mbara. Sedra e moshës mund t’ju shtynte drejt një zgjedhjeje pothuajse fatale për krijimtarinë tuaj…
Në buzë të fatalitetit shkojnë të gjithë sepse fataliteti është edhe i bukur, magnetik, tërheqës. Ti thua po shkel në rrugë të pashkelura, ato mund të jenë fatale, por mund të jenë edhe tejet të bukura, të mrekullueshme, të tilla që të tërheqin me të njëjtën fuqi sepse është e pazbuluara brenda. Enigmatikja ka një formë të çuditshme, të padukshme, por që vetëm një sy i hollë mund ta shohë, mund ta shpërfaqë, mund ta nxjerrë në shesh, ta rrokë, ta bëjë të vetën. Është një çudi, një magji, një hall më vete, të gjithë shkojnë në atë teh dhe duke kaluar, harrojnë që gremina është në teh të thikës, poshtë, pasi tehu është vetë një greminë. Të kalosh në teh është e bukur kur del fitimtar dhe shumica dalin të tillë, një pjesë bien se janë të pavëmendshëm ose i ka tërhequr poetika e thellë dhe e çuditshme. Kanë vëzhguar poshtë, kanë dëshiruar të shikojnë thellë, dhe kjo sigurisht që për çdo njeri që drejtohet për të kapërcyer diçka kur vështron te pika e qendrimit dhe është i detyruar të bjerë.
Është e vërtetë që libri juaj i parë me poezi është ndaluar “sepse kishte mjaft hala në bykun e grurit.” apo kjo thënie përmban edhe doza ekzagjerimi?
Është ca e ekzagjeruar, por duhet të themi që ata nuk i tregonin të gjitha gjërat. I vishnin me një aureolë, me një lloj talenti, me ca fjalë të përgjithshme që mund të dukeshin të sheqerosura, të ëmbla dhe pastaj mund ta kapërceje duke menduar se vjen koha tjetër dhe ky ëndërrim i njëpasnjëshëm, një ëndërrim shkallë-shkallë dhe të çonte tek e vërteta. Kishte një të mirë të madhe që të kridhte thellë e më thellë në kërkesën për të ditur, për të zbuluar figurën, për ta dashur, për ta bërë plotësisht tënden dhe për të ecur përpara. Se në fund të fundit jeta është një figurë e madhe, por edhe e vogël po të jetë, nuk prish ndonjë punë. Ta perceptosh si një figurë të tërën dhe pastaj dora-dorës, figurë pas figure shkon drejt cakut përfundimtar.
Një lutje i bënit Zotit dikur, t’ju mbante mendjen të kthjellët… Poezia mban të freskët prozën, po ashtu edhe mënyrën sesi të komunikosh, sesi duhet trajtuar çdo lloj krijimtarie, qoftë edhe publicistikën. Ta mendosh një gjë, ta thuash në formën e duhur dhe pastaj të gjesh elementin që i vjen në ndihmë. Ta enumerosh, personalizosh, t’i japësh një lloj personifikimi të plotë, ngjyrën e metaforës, ta spërkatësh me ndonjë epitet dhe pastaj të japësh rrugëzgjidhje.
Kur lindi ndjeshmëria për prozën dhe çfarë ndodhi njëherësh me poezinë? Ato kanë qenë, të dyja janë. I kam grumbulluar të gjitha elegjitë e mia, nuk i botoj dot sepse duhen limuar me shumë kujdes, elegjia duhet të mbetet. Ajo është dhimbje, por është edhe elegancë e përsosur. Përfytyroni një grua të bukur të veshur me të zeza! Kjo është elegjia.
Ku e ka burimin kjo dhembje? Kam humbur djalin.Kam humbur plot gjëra në jetë, por ajo ka qenë një dhimbje e jashtëzakonshme.
Në po të njëjtin qytet që ju i thurni lavde. A nuk do duhej t’u mbante larg Beratit kjo dhembje?
Jo nuk është ashtu. Nuk ka humbur aty jeta e djalit. Aty janë eshtrat, aty është ajo që mbetet si një lloj monumentaliteti i gjërave që vërshojnë përtej së mirës dhe të keqes. Atje pastaj është ngujuar ajo që ke dashur si një pikë loti. Është i patretshëm ky lot.
Çfarë ju dha forcë? Ndoshta puna e vazhdueshme sepse asokohe keni bërë edhe një studim për Beratin me titull: “Betlehemi shqiptar”.
Sipas tekave të jetës, ashtu i kam pasur edhe kapërcimet në krijimtari. Nëse do të hidhesha nga drama tek vështrimi historik, më vinte në ndihmë për të qenë i qendrueshëm që ta çoja në fund këtë studim. Dhe pastaj të hidhesha në kthjellimet psikologjike, për të cilat unë jam specializuar. Këto pastaj më jepnin dorë shumë që të përshkruaja një personazh dhe ndiqja jetën e Onufrit, jetën e qytetit, për të ndihmuar letërsinë, por ndërkohë nuk më pengonte për mbarimin e një studimi të plotë të një figure të shquar në Berat sikurse është Babë Dudë Karbunara, me tërë plotërinë e vet, të dy librat edhe: “Betlehemi shqiptar” dhe “Babë Dudë Karbunara” kanë dalë tani. Jo për publikun, derisa të më mbushet mendja që ato do dalin.
Studimet që keni bërë për çështje psikologjike kanë ardhur si një nevojë për të mbushur atë vakuum të literaturës psikologjike me autorë shqiptarë që ekziston sot?
Si botues jam shumë i pakënaqur nga krijimi psikologjik. Lexoja “Tipat Psikologjikë” të Jungut që kërkova të përkthehet prapë dhe e kam të plotë, por nuk e botoj dot për dy arsye, sepse një libër i deformuar i përkthyer aq keq fillimisht dhe ekziston në treg që prej kohësh edhe nuk e shikon njeri me sy. Me ç’guxim do ta botoj këtë libër? “Psikologjia individuale” e Adlerit është redaktuar edhe parë me kujdes nga ana jonë që të gjejë botimin e plotë. U pëlqye nga të gjithë, por është vështirë të kuptohet sepse nuk ekziston siç duhet kultura psikologjike. Ne nuk kemi psikologë të mirëfilltë përveç ndonjë emër si Luan Hajdaraga.Them kështu sepse studimet psikologjike i quajnë të afirmuara në Shqipëri, duke filluar nga një specializim për pedagogji dhe psikologji që e kemi filluar ne si moshë, brezi i viteve ‘80. Kemi qenë në një kurs të tillë dhe të gjithë profesorët, doktorët nga ky kurs tashmë janë psikologët e njohur të Shqipërisë. Këto vite për mua ishin të një kërkimi të dyfishtë, edhe të kërkimit të vetvetes brënda pamundësisë për të jetuar mirë, edhe të kërkimit të së pamundurës që nuk e gjeje dhe nuk e shihje dot se ku ishte. Atëherë ç’psikolog mund të jetë dhe të bëhet ai që nuk sheh as të parën as të dytën? Vetveten nuk e sheh, botën më tej nuk e sheh, atëherë ti përfytyron përmes perceptimit që mund të kesh për atë që është irreale? Është e pamundur. E vetmja dëshirë e fortë ishte të paktën të nderonim vendin tonë dhe këta të mos bëheshin dot profesorë. Profesorët i kemi të gjithë me lopatë, aq sa me 10 mijë euro mund të bëhesh kur të duash profesor në një universitet privat, por vetvetja nuk bëhesh dot, është e pamundur ta ruash emrin. U botua libri “Psikologjia e fëmijës”, “Psikologjia e shkrimit”, “Adoleshenca” dhe disa libra të tjerë psikologjikë nën kujdesin personal. Unë pretendoja se e njihja këtë fushë, edhe kur botova “Parapsikologjinë” që ka të bëjë me paranormalen, me mendimin e kërkuar te tjetri dhe të hysh në kontakt me të, mendimin e tij, pa biseduar, pa e parë, pa e dëgjuar, pa krijuar lidhje, por valët e mendimit komunikojnë me njera-tjetrën dhe kur lexova faktin e shkëlqyer që botës iu deshën 6 mijë vjet të vinte te shkrimi, mendova po sa vjet do t’i duhen të vejë te mendimi? Kjo e t’hollon çdo gjë. Krijon një relativitet të pamundur dhe një ndjenjë që gjithnjë do të mungojë. Unë kam botuar edhe disa libra të tjerë psikologjikë. Është “Paraadoleshenca”, që ka të bëjë me moshën e pubertetit, të pjekurisë seksuale, të kalimit të pragut të parë të rëndësishëm të jetës. Sa i pamundur dhe i mundur është, me një frymëzim edhe pak poetik brenda ç’është e vërteta dhe kjo e bën më të këndshëm. Po kështu edhe “Shenjtëria e tij fëmija (2-6 vjeç)”, ku fëmija ka të bëjë me shenjtërinë e tij. 2-6 vjeç njeriu formohet përfundimisht dhe nuk ndryshon gjatë gjithë jetës. Jo pse kështu thotë Frojdi, por kështu është e vërteta. Ato që përjeton njeriu deri në moshën 6 vjeç ato i mbeten në jetë. Edhe kur vdes, është një 2-vjeçar. Brenda atij qerthulli, aty përdridhet pjekuria, njohuria, ndjenja, dashuria, miqësia, shoqëria, gjithçka. Provat e para të jetës nguliten thellë në vetëdijen e njeriut dhe ato mbeten edhe për mënyrën sesi do të mësojë, do të dojë, do urrejë në jetë.
Romani “Mëkati i bukur” u botua pas 30 vjetësh… Ai është një roman historik që i kushtohet Beratit. Ajo kohë që kemi jetuar atëherë ndërthuret me kohën e sotme. I shkruar më parë është edhe libri me tregime që e botoj tani “Dikush pret gjithnjë” ashtu siç kam pritur që të vinte dita të botoheshin këto tregime. Të gjithë presin. Dikush pret i ulur te shkallët përpara një dere, dikush pret në cep të një rruge, dikush i mbështetur pas një peme. Dikush tjetër ëndërron që të presë, të presë, të presë pa fund. Jeta është një pritje e gjatë, e palodhur, e pasosur, e bukur, e xhindosur.
Dihet që tekstet e historisë janë të mbytyra nga mitizimi që u bëhet figurave historike, pa u njohur anë të errëta, shoqëruar me një lloj patetizmi. A do duhej të zbutej pak ky lloj fanatizmi që nuk na çon gjëkundi?
Një popull i vogël është mitik. Është i dënuar të jetë i tillë sepse është vetëm një personazh që nuk mund të mendohet dot kurrë sesi ka arritur ato që ka arritur kaq i vogël, i vogël ka qenë, i vogël mbeti përjetë. Ai si Sizifi ka ardhur dhe ende përpiqet ta ngrejë akoma gurin dhe ta çojë diku tjetër nga pikëpamja ekonomike, politike, shoqërore, gjuhësore, nga kultura, nga çdo gjë. Ende ha sikur të kishte lugë guri, ose lugë kocke, ndonëse ajo mund të jetë e veshur me flori. Është e pamundur ta besosh sesi ka arritur dhe ky popull i vogël të bën të ndihesh vërtet keq. Ne kemi nevojë edhe për këtë mitologji. Popull i vogël është çdo popull i Ballkanit, i dënuar ta bazojë veten në një frymë jo reale, të menduar, sepse kështu jetojnë.
2013

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *