Mirë se erdhët në faqen time

xhevair-lleshi-zyreKrijimtaria ime? Ajo zë fill në shkollën e mesme teksa nisa të kërkoja brenda vetes. Nga gazeta jonë letrare e murit po hynim në udhën e një mëkati të madh, që s’dihej si do të shprehej e si do të ngardhosej, si do të jetonte dhe a do të kryente inçest, vetëvrasje, krime të tjera, do të përleshej në dashuri apo do të jetonte jetën me prozaizëm të vdekshëm. Kush e dinte?

Libri i parë me poezi u kthye bashkë me shënimin se libri nuk mund të botohej pasi kishte mjaft hala në bykun e grurit. Megjithatë, më pas do të vinin dy libra me tregime, drama që panë dritën e skenës, komedi, pjesë teatrore për fëmijë e të rritur, në fund të viteve tetëdhjetë u poq ideja e “Mëkatit të bukur” dhe “Onufrit”. Romani “Taulantët”, vëllimi poetik “Dita e ngrirë”, librat psikologjikë “Paraadoleshenca” dhe “Shenjtëria e tij – Fëmija, 2-6 vjeç”, biografia “Plaku i shqipes”, libri historik “Betlehemi shqiptar” etj., përbëjnë vetëm një pjesë të këtyre shkrimeve, pasi janë një numër i madh tregimesh, elegjish, romanesh të përfunduar prej kohësh që presin radhën e kontrollit dhe të përpunimit. Zoti dhëntë fuqi dhe mendje të kthjellët…

Librat e mi morën frymë lirisht, pa ndeshur përgjigje të pafajshme, për shkak të çerekut anësor e mëkatar të biografisë, u zgjuan nga gjumi letargjik pas vitit 1997 (sepse vdekja aksidentale e tim biri në vitin 1992 mbeti një traumë e vogël përballë përmasave të përbindshme të vitit 1997) dhe filloi të përpëlitej në gjoksin e ndezur të një burri që e shihte gjithçka me përvëlimën e vdekjes dhe arriti më në fund ta kryejë mëkatin e vërtetë.

Në vitet shtatëdhjetë, për dhjetë vjet me radhë kam kërkuar në arkivin qendror në Tiranë dhe kam gjetur aq shumë material për Beratin, për (e thënë ndryshe) Betlehemin shqiptar (siç e quan Indro Montanelli), sa do të duheshin mijëra faqe për t’i shkruar ato që janë fjala, historia, personaliteti, jeta dhe vdekja, e bukura, e mira dhe e shëmtuara, e keqja, dëlirësia, eleganca, thjeshtësia, kapadaillëku, memecëria, shurdhësia, oratoria, mikpritja, dashuria, lufta, egërsia, gjaku, poshtërsia… gjithçka që kurrsesi nuk arrin dot ta thuash e që përbëjnë mëkatin e çuditshëm të atij qyteti të madh e të vogël njëherësh. Berati kështu u bë dashuria ime, jeta ime e gëzueshme, drita e brendshme dhe më duhej kështu të mrekullohesha nga emrat e njerëzve, nga turravrapi i tyre elegant e i kobshëm, nga vetë jeta e zvarritur dhe e hirshme e qytetit. Pas ftohjes titanike të ekonomisë së viteve tetëdhjetë dhe falë specializimit tim për psikologji në Universitetin e Tiranës, historia dhe njerëzit e vjetër të tij u bënë pjesë e qenies sime, pjesë e brendshme dhe e pakuptueshme e nënvetëdijes sime.

Shtysa ime e vërtetë për një figurë të madhe historike ka qenë Andrea Muzaka, princi i famshëm që e ktheu Beratin në një kryeqendër mesjetare dhe veten e pavdekësoi me veprat që bëri: kodin moral, historitë e pushtimeve, martesat e shumta që bëri, fëmijët e shumtë që rriti (plot 46 të tillë!), që i mbolli si era kudo ku shkeli, sepse era e kohës i pllenonte gratë me v/rtikun e saj të llahtarshëm e mjaft burrëror…

Por unë nuk mund të lë pas dore edhe punën me tekstet shkollore. Janë mbi dyzet tekste dhe punë të tjera në dobi të nxënësve e të shkollës, dhjetëra libra të përkthyer etj., qindra libra të redaktuar, sidomos kryevepra të letërsisë botërore, vëllime të tëra të historisë së qytetërimit botëror e plot punë të tjera…

Tani më duhet t’i gëzohem lindjes së “Onufrit”. Ka për të qenë një fëmijë i çuditshëm, e di.

Krijimtaria ime lidhet ngushtë edhe me mitet. Histori pa mite nuk ka. Unë i kumtoj ato (jo i them) dhe kumti im është disi tragjik, sepse perënditë e mia vdesin, nuk janë të përjetshme. Ato i ka krijuar populli në jetën e pavdekshme, në heronjtë e ngurtësuar, guri i të cilëve është krejt i mbuluar nga pluhuri i mrekullueshëm i harresës. Pse i mrekullueshëm? Po të mos qe i tillë atëherë do të qenë shkatërruar krejt, kurse harresa e vjetër i mbrojti për kohët e reja, për të deshifruar enigmat e lashta. Kështu mitet janë një forcë që duhet të godasin në shenjë, edhe çmitizuesit modernë, edhe mitizuesit e falsifikuar. Prandaj dhe kthehen në një elegji kryengritëse. Të tilla janë mitet shqiptare – ilire – pellazge, duke i nëmur dhe duke u dhënë dritë netëve të gjata pellazgjike.

Kohët e fundit duken tmerrësisht të shkurtra, sepse litari mblidhet dhe ditënetët kanë një turravrap të jashtëzakonshëm shpejtësie. Kjo nuk ndodh vetëm me mua, por me të gjithë vrapuesit (jo të shpejtësisë dhe as jo të maratonës) në kohë. Prandaj dhe unë nxitoj. Nxitoj për të qenë gjithnjë i freskët (freski bardha!) që të mbërrij në finish me hap të lehtë, i qetë dhe me një gaz autoritar e ironik në buzë. Sepse të tilla do të jenë edhe ato libra që janë në proces botimi: Psikologjia e Personalitetit, Betlehemi Shqiptar, Plaku i Shqipes, Elegji, E Rënda (Mitet iliro-shqiptare)… Strumbullari i tyre (përveç Psikologjisë së Personalitetit – puna e jetës sime, është elegjia lirike, një spontaneitet i hazdisur ndërgjegjeje – dhe aty ku s’ka ndërgjegje shpërthen nënvetëdija e bekuar.

Gurra e kulluar e burimit janë në vdekjen e qetë dhe në vdekjen e bujshme (që të dyja të njëjta, porse e para vdes në shtrat, e dyta në gazetë e në media). Sepse vdekja është jo vetëm ngjarja e fundit, që shpreh tragjizmin, por elementi, nyja më e fortë e jetës, aty ku bëhet zgjidhja përfundimtare e dramës, pika kulmore e saj, ku një vështrim i fundit vlen sa tërë bota. Nëse njeriu në moshën 2 – 6 vjeç mëson aq sa nuk arrin dot gjithë jetën (kulmi elegjiak i saj!), një vështrim i fundit vdekësor mbetet peng i përjetshëm i brezave, duke u transformuar edhe në legjendë: vështrim që shemb hipotetikisht malet, vështrim që ndez zjarre, vështrim që çmend zemra…

Xhevair Lleshi